Kombëtarja e futbollit ka nisur grumbullimin për fushatën kualifikuese të europianit. Trajneri Christian Panucci duket se do të ndryshojë stilin e tij të lojës që bëri në ligën e kombeve. Tashmë italiani do të vendosë skuadrën më shumë në pozicione mbrojtëse për të shpresuar tek kundërsulmet.

“Do të ndryshojmë diçka duke filluar nga Turqia. Do të luajmë 4-3-3, ose 3-5-2, por të shohim si do ecin përgatitjet. Do të tërhiqemi disi, për të krijuar hapësirën e duhur për t’u nisur në sulm. Vura re se sa më shumë skuadra të hapet, na krijohen vështirësi. Kemi problem kur mundohemi të bëjmë futboll total”.

Trajneri ka në mendje edhe formulen që do t’i sigurojë kualifikimin në Europian kuqezinjve edhe pse do duhet shumë punë dhe pak fat për ta përmbushur. Në rast se kualifikimi nuk arrihet, atëherë trajneri do t’i hapë udhë dikujt tjetër në stolin e Kombëtares.

“Duhet t’i marrim takimet me radhë dhe të shohim ndeshje pas ndeshje. Nuk mund të dalim jashtë realitetit, sepse jemi në vazon 4. Nëse bëjmë mirë, dalim të tretët, por nëse bëjmë diçka speciale, dalim të dytët. Nëse kjo nuk arrihet, unë iki. Duhet të jemi të qetë dhe të përulur, pasi 2016-a për dikë ka ndikuar për keq”.

Sfida e parë për kombëtaren do të jetë ajo përballë Turqisë në datën 22 Mars në “Loro Boriçi”, ndërsa 3 ditë më vonë kuqezinjtë do të udhëtojnë drejt Andorras.

Tv Klan