Fitorja me Skocinë është e detyrueshme që mos ta mbyllë e fundit në grup për Ligën e Kombeve. Megjithatë trajneri Christian Panucci thotë se nuk është nën presion. Tekniku italian kërkoi nga lojtarët të krijojnë sa më shumë raste, diçka që sipas tij ndodhi në përballjen e fundit me Izraelin, por që fatkeqësisht nuk u konkretizuan.

“Natyrisht që duhet të shënojmë. Në Izrael krijuam raste, por na mungoi finalizimi. Kemi përgatitur disa lëvizje taktike që të jemi më të qartë para portës. Urojmë që lojtarët të komunikojmë sa më shumë, pasi kjo do të ndikojë te rezultati”.

Problemin për komunikimin e pranoi edhe kapiteni Mërgim Mavraj, diçka që duhet korrigjuar sipas tij.

“Kjo na kushtoi në ndeshjen e kaluar. E dimë që duhet të përmirësojmë këtë pjesë”.

Christian Panucci tha gjatë konferencës që ka ende dyshime për formacionin. Sfida me Skocinë ka rëndësi edhe për qëndrimin në Ligën C. Nëse Shqipëria renditet e fundit, mund t’i shpëtojë rënies vetëm duke parë rezultatet e skuadrave të klasifikuara të tretat në grupet e tjera, pas zbritjes së pikëve në sfidat me vendet e katërt.

Tv Klan