Christian Panucci publikoi të enjten listën e të grumbulluarave për dy ndeshjet e para kualifikuese për Euro 2020, me Turqinë dhe Andorrën.

Për herë të parë vjen në kombëtare Kristi Qose, i cili aktivizohet në kampionatin sllovak me Ruzomberok. Panucci riktheu në grupin e kuqezinjve Naser Alijin, Arlind Ajetin dhe Kistal Abazajn, të cilët nuk ishin përfshirë në grumbullimin e fundit.

Kësaj here Metz do të lejojë Ivan Balliun, ndërsa Amir Abrashi është një forcë më shumë për mesfushën, pasi e ka kaluar tërësisht dëmtimin. Panucci do të ketë në dispozicion edhe sulmuesin Armando Sadiku, i cili është riaftësuar pas lëndimit.

Trajneri i Kombëtares nuk ka preferuar t’i dërgojë ftesë Ermir Lenjanit, apo edhe të rinjve Emanuele Ndoj dhe Rei Manaj.

Christian Panucci do të nisë grumbullimin pasditen e së dielës, por më parë do të dalë para gazetarëve për të sqaruar zgjedhjet e tij dhe objektivat. Shqipëria do të luajë me Turqinë më 22 Mars në Shkodër dhe 3 ditë me pas në fushën e Andorrës. Në grupin tonë kualifikues të Euro 2020 janë edhe Franca, Islanda dhe Moldavia.

Tv Klan