Në krah të kapitenit Mërgim Mavraj dhe pa asnjë komunikim me presidentin Duka, Christian Panucci pranoi se pas humbjes katastrofike me Skocinë nuk ka shkëmbyer asnjë fjalë me kreun e FSHF-së. Teksa largimi i tij duket çështje orësh, tekniku italian kërkoi sërish kohë, ndërsa u tregoi gazetarëve kontratën që sipas tij skadon në Nëntor të vitit të ardhshëm.

Christian Panucci, trajner i Kombëtares:

Jo nuk kam folur me presidentin Duka. Nëse do jem unë apo jo deri në mars e keni numrin e Dukës dhe pyeteni. Unë kam shumë respekt për punën time. Jam ende nën kontratë deri në nëntor të 2019, nëse shkoj në Europian vijoj punën, ndryshe iki.

Tensionin e krijuar nga dështimi në Ligën e Kombeve, ku nuk përmbushi asnjë nga objektivat italiani e shfaqi edhe gjatë komunikimit me gazetarët.

Panucci: Kur flet duhet të shikosh, nëse do të jesh profesionist, mos shiko telefonin, tregohu korrekt.

Gazetari: Gjithmonë.

Panucci: Gjithmonë jo, tani nuk ishte korrekt.

Gazetari: Gjithmonë, kur flet ti.

Panucci: Po përkthen tregohu i edukuar.

Gazetari: Edhe ti.

Panucci: Unë jam i edukuar.

Gazetari: Edhe unë.

Panucci: Më bën për të qeshur, më beso më bën për të qeshur.

Pranoi se ka gabuar me eksperimentet te kombëtarja shqiptare dhe se më në fund u bind për të ndryshuar taktikë.

Christian Panucci ,trajner i Kombëtares:

Unë kam gabuar për idenë e futbollit që doja të realizoja dhe për këtë duhet të ndryshoj. Ideja për të zhvilluar një futboll sulmues ishte e gabuar.

Christian Panuçi pret që lojtarët të reagojnë në takimin e fundit me Uellsin. Një paraqitje ndryshe premtoi edhe kapiteni Mavraj, që mohoi ndonjë pakënaqësi mes lojtarëve dhe trajnerit.

Kombëtarja nuk do të ketë në dispozicion për miqësoren e së martës me Uellsin, Emanuele Ndojin, Berat Gjimshitin dhe Egzon Binakun për shkak dëmtimi. Në këtë takim rikthehen Elseid Hysaj dhe Migjen Basha.

Tv Klan