“Solidaritet me njerëzit që vuajnë nga koronavirusi”

Papa Françesku kërkon armëpushim global, një thirrje që nënkupton pezullimin e përkohshëm të të gjitha konflikteve dhe armiqësive, teksa e gjithë bota po lufton kundër armikut që i kërcënon të gjithë njëlloj, koronavirusit.

“Ftoj këdo të ndalojë çdo formë luftarake armiqësie dhe t’i hapë rrugë korridoreve për ndihmat humanitare dhe përpjekjeve për zgjidhje diplomatike për të gjithë ata që kanë më tepër nevojë, veçanërisht në vendet ku luftohet”, tha Papa.

Mesazhin e dha gjatë bekimit tradicional që jep çdo të dielë nga selia e shenjtë, duke iu bashkuar kështu të njëjtës thirrje të bërë pak ditë më parë nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres.

Vendet e luftës si Siria e kanë të pamundur kurimin e pacientëve të koronavirusit pasi sistemi i tyre shëndetësor është në kolaps. Spitalet kanë qenë shënjestra kryesore e luftimeve, ku palët kundërshtare godasin luftëtarët armiq që kurohen.

Papa Françesku  e shpalli këtë të dielë, ditën e të qarave në shenjë solidariteti me të varfrit, të moshuarit dhe të gjithë ata që po e përballojnë me vuajtjet më të mëdha këtë pandemi.

Tv Klan