Papa Françesku do të lërë të Dielën spitali Gemelli, pas 6 javësh qëndrimi. Lajmin e dha profesori Sergio Alfieri gjatë një konference për shtyp në këtë spital.
“Lajmi i mirë që pritet nga të gjithë është se nesër Ati i Shenjtë do të dalë nga spitali dhe do të kthehet në Santa Marta. Gjendja e tij shëndetësore është e stabilizuar.”
Mjekët që e kanë trajtuar Papa Françeskun njoftuan se gjatë qëndrimit të tij në spital, ai ka kaluar dy episode të rënda që kanë kërcënuar jetën e tij. Ata gjithashtu sqaruan se gjatë trajtimit, Papa Françesku nuk ka pasur nevojë për intubim dhe se nuk ka qenë i prekur nga Covid-19 apo diabeti. Për një rikuperim të plotë, ata rekomandojnë të paktën 2 muaj pushim.
Papa Françesku u shtrua në spital më 14 Shkurt për shkak të problemeve me bronkitin dhe më pas u diagnostikua me pneumoni të dyfishtë, një infeksion i rëndë që shkaktoi vështirësi të mëdha me frymëmarrjen. Sipas raporteve nga mediat italiane, të Dielën pritet një dalje publike nga Ati i Shenjtë.
Klan News