Papa Françesku do të lërë të Dielën spitalin Gemelli pas 5 javesh nga shtrimi. Lajmin e mirë e dha profesor Serxhio Alfieri gjatë një konference për shtyp. “Lajmi i mirë që pret e gjithë bota është se nesër Ati i Shenjtë do të dalë nga spitali dhe do të kthehet në Santa Marta. Gjendja e tij shëndetësore është stabël.”
Ekipi i mjekëve që u kujdesën për të, bënë të ditur se Papa 88 vjeçar gjatë qëndrimit në spital pësoi dy episode kritike që i rrezikuan jetën. Gjithashtu mjekët zbuluan se ai s’ka qenë asnjëherë në intubim dhe nuk ka pasur Covid apo diabet. Teksa për rikuperimin e plotë duhen të paktën 2 muaj pushim.
Më 14 Shkurt, Ati i Shenjtë u shtrua në spital për shkak të problemeve me bronkitin. Ai u diagnostikua me pneumoni të dyfishtë, një infeksion i egër që i shkaktoi probleme të rënda me frymëmarrjen. Të Dielën, Papa Françesku pritet të ketë një dalje publike.
Tv Klan