Vizita e Papa Françeskut në Maqedoni më 7 Maj vlerësohet si mbështetje për vendin në drejtim të zhvillimit të saj në plan kombëtar dhe ndërkombëtar, nga një prej liderëve fetarë më me ndikim në botë. Kjo lidhet me marrëdhëniet e afërta që Vatikani ka tradicionalisht me Maqedoninë, në çastin kur shënohen 25 vite nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike bilaterale, vlerësojnë përfaqësuesit e shtetit. Ati i Shenjtë në Shkup do të mbajë meshë në sheshin e qytetit ku pritet të marrin pjesë mijëra besimtarë, do të takohet me kreun e shtetit, por edhe me udhëheqësit e bashkësive fetare në vend.

Gjatë qëndrimit 10 orësh në Shkup, Papa Françesku do të ketë takime me krerët më të lartë shtetëror, me udhëheqësit e bashkësive fetare dhe do t’u drejtohet qytetarëve në sheshin e Shkupit. Vendimin për ta vizituar Maqedoninë, Kryeministri Zaev e vlerëson si afirmim për vendin.

“Vjen në moment shumë të rëndësishëm për vendin tonë, kur vendi ynë është vërtetë mik me të gjithë, kur demonstruam hapa të guximshëm. Në një mënyrë prek edhe porositë fetare të cilat edhe Ati i Shenjtë i promovon në botë”.

Ipeshkvi i Kishës Katolike në Maqedoni, Kiro Stojanov, theksoi se vizita e Papës lidhet me marrëdhëniet e mira dypalëshe me Vatikanin, por edhe respektin për vendlindjen e Nënë Terezës.

“Për këtë arsye ju bëj thirrje, lutem për ju, që kjo vizitë apostujsh të jetë dhuratë e dashurisë, ngjarje historike, dhe jo vetëm sensacion ose manifestim”.

Vizita e Papa Françeskut në Maqedoni, për komunitetin katolik, por edhe për tërë vendin është e rëndësisë historike, deklaroi Anton Sereçi, zëvendës kryetar i Komisionit për Marrëdhënie me Bashkësitë Fetare.

“A është historike, është më shumë se historike, për herë të parë Ati i Shenjtë, Papa vjen në një vend biblik, në Maqedoni, për të cilën e dimë se përmendet disa herë edhe në Bibël, por edhe për ngritjen e moralit dhe besimit të njerëzve në marrëdhëniet e mira fqinjësore, për paqen dhe për bashkëjetesën”.

Interesi për vizitën e Papës është i madh edhe tek mediat. Për këtë ngjarje deri më tani janë akredituar rreth 400 gazetarë, 200 prej të cilëve nga vendi. Për shkak të pranisë së Papës, niveli i sigurisë në Shkup do të jetë në nivelin më të lartë.

Tv Klan