Dita e gjashtë i shtruar në spitalin Gemelli në Romë për Papa Françeskun, i cili po vuan nga pneumonia e dyfishtë. Në buletinin e fundit Vatikani njoftoi se Papa është në “gjendje të qëndrueshme me një përmirësim të lehtë”.

Në spital Ati i Shenjtë u vizitua nga Kryeministrja Giorgia Meloni. Papa e priti privatisht për rreth njëzet minuta.

“Jam shumë e lumtur që e gjeta vigjilent dhe reagues. Bëmë shaka si gjithmonë. Ai nuk e ka humbur ndjenjën e humorit.” Kështu ka deklaruar kryeministrja Meloni pas vizitës që i bëri Papës në spitalin Gemelli, siç thuhet në një shënim nga Pallati Chigi.

Nga burimet e Vatikanit mësohet se Françesku nuk po ndihmohet me oksigjen dhe se “zemra e tij është e fortë”. Zyrtarët anuluan angazhimet e tij në fundjavë.

Matteo Bruni, drejtor i zyrës së shtypit të Selisë së Shenjtë, tha se Papa Françesku ishte në humor të mirë dhe u shpreh mirënjohjen besimtarëve për lutjet. Papa thuhet se ka lexuar gazeta dhe ka bërë disa punë nga dhoma e tij e spitalit.

Shqetësimet janë rritur për shëndetin gjithnjë e më të dobët të Papës. Françesku, i cili ka qenë Papë që nga viti 2013, ka pasur grip dhe probleme të tjera shëndetësore disa herë gjatë dy viteve të fundit.

Klan News