Shkak u bë luhatja e tensionit, ndërhyjnë zjarrfikësit

Papa Françesku u ngriu gjakun mijëra besimtarëve katolikë nga e gjithë bota të mbledhur në sheshin e Shën Pjetrit. Ati i shenjtë shquhet për korrektesë në orare, por këtë të diel u shfaq rreth gjysmë ore me vonesë në dritaren me pamje nga sheshi i famshëm ku mban edhe ligjëratat e ditës së 7-të javës, duke lënë të pranishmit me kokën lart.

Dhe kur u shfaq shpjegoi arsyet tepër interesante të vonesës, duke u kërkuar besimtarëve ndjesë.

Papa Françesku: Të dashur vëllezër dhe motra, përpara së gjithash dua t’ju kërkoj falje për vonesën, por më ndodhi një incident. Ngela në ashensor për 25 minuta për shkak të një luhatjeje energjie. Falë Zotit ndërhynë zjarrfikësit dhe pas 25 minutash, ashensori funksionoi sërish. Falenderoj zjarrfikësit, le t’i duartrokasim.

Papa Françesku shquhet për mënyrën e tij tepër të thjeshtë dhe hapur të komunikimit me besimtarët.

Në dallim nga pararendësit, ai shpesh ka thyer edhe protokollet e sigurisë, siç ndodhi në Janar të vitit të kaluar kur doli nga makina e blinduar gjatë vizitës në Kili për të ndihmuar një agjente policie që ra nga kali.

Tv Klan