Papa Françesku shtrohet në spital në Romë, pasi vuan nga bronkiti. Ati i Shenjtë anuloi gjithë axhendën e parashikuar për të paktën deri të Hënën dhe nuk do të marrë pjesë në meshën e të Dielës në sheshin Shën Pjetër të Vatikanit.
Zyra e tij e Shtypit njoftoi se mjekët e spitalit Gemelli, që e ndjekin atë rregullisht, i rekomanduan Papës të shtrohej për ta mbajtur nën mbikëqyrje për shkak të një të ftohure që po kalon prej pak javësh, që shpesh e ka detyruar të mbajë fjalime të shkurtra ose t’i anulojë fare.
Mjekët i rekomanduan t’iu nënshtrohet disa analizave të detajuara, duke i rekomanduar qëndrimin në spital për të paktën 5 ditë.
Mesha e kësaj të diele që ishte planifikuar të drejtohej prej tij, i kushtohej artistëve italianë që kanë bërë historinë e kinematografisë së këtij vendi.
Papa kishte planifikuar edhe një vizitë të Hënën në Cinecitta-në e famshme, ku kanë selitë televizionet dhe shtëpitë më të njohura filmike të Italisë.
Hera e fundit që Ati i Shenjtë është shtruar në spital me bronkit ka qenë në 2023-shin, vit gjatë të cilit iu nënshtrua edhe një ndërhyrjeje kirurgjikale.
Tv Klan