Papa Leoni XIV është gati të ndërmjetësojë në Vatikan, bisedimet e paqes mes Kievit dhe Moskës. Konfirmimin ia bëri vetë kreu i Selisë së Shenjtë kryeministres italiane, Giorgia Meloni, me të cilën zhvilloi një telefonatë.
Shefja e qeverisë së Romës ia bëri propozimin pasi zhvilloi një tjetër bisedë me presidentin amerikan Donald Trump. Shefi i Shtëpisë së Bardhë u shpreh pasi bisedoi të hënën në telefon me Vladimir Putinin, se Vatikani ishte vendi “ideal” për të vazhduar bisedimet e drejtpërdrejta të nisura javën e kaluar në Stamboll.
Sipas një analize të prestigjiozes amerikane New York Times, ky propozim i shefit të Shtëpisë së Bardhë tregon se nga garancia se do të gjente zgjidhje për konfliktin Kiev-Moskë, që në ditët e para të presidencës së tij, tani po ua le në dorë palëve në konflikt ta gjejnë vetë paqen. Duket se Trump po dorëzohet, pasi nuk arriti rezultate në telefonatën me Putinin.
New York Times shkruan se Trump nuk ka ndërmend as të rikthejë ndihmën për Ukrainën dhe po ashtu është kundër vendosjes së sanksioneve shtesë ndaj Rusisë, ndryshe nga sa kishte paralajmëruar në rast se negociatat nuk do të prodhonin rezultate.
Tv Klan