Papa: Mesdheu, varrezë masive pa lapidar


Papa: Mesdheu, varrezë masive pa lapidar

16:43 05/12/2021

“Frenoni fundosjen e civilizimit, ndihmoni refugjatët”

Papa Françesku e konsideroi Mesdheun si një varrezë masive pa lapidar, referuar numrit të lartë të të mbyturve mes refugjatëve  dhe emigrantëve që vijnë ilegalisht për një jetë më të mirë në Europë.

Deklaratën e bëri gjatë vizitës së tij, në ishullin grek Lesbos ku vizitoi kampin më të madh të refugjatëve në Greqi, ndër pikat e para të pritjes së refugjatëve në vendet e Bashkimit Europian, që vijnë nga Afrika dhe Lindja e Mesme. Ati i Shenjtë u bëri thirrje vendeve europiane të frenojnë atë që e quajti “fundosje të civilizimit”. Ai bëri thirrje që perëndimi të mos ua mbyllë portat atyre që vuajnë, duke u strukur mes individualizmit përjashtues, por të hapë zemrat shurdhe për nevojtarët.

Papa Françesku zgjodhi fjalë të ashpra për thirrjen e tij, teksa kampi i pritjes në Lesbos mban me mijëra refugjatë dhe emigrantë të strehuar në kushte çnjerëzore. Ky kamp është ndër të parët që u hap në Europë, pas dyndjes së viteve 2015- 2016 pas nisjes së konfliktit në Siri, e që mblodhi refugjatë edhe nga vendet e tjera të trazuara, si Libia, Tunizia, Iraku e Afganistani. Kreu i Kishës Katolike e nisi turin e tij 5-ditor të Enjten në Qipro.

Tv Klan








Të ngjashme