“Skandal që vijojnë luftërat në kohë pandemie”

Papa Françesku bëri thirrje që të shmangen vonesat në vaksinimin e popullsisë, veçanërisht në vendet e varfra. Në mesazhin e Pashkës, Ati i Shenjtë e konsideroi skandal faktin që në kulmin e krizës ekonomike e shoqërore, akoma shpenzohet për luftë.

Sfida e përshpejtimit të ritmeve të vaksinimit, për t’i dhënë fund sa më shpejtë periudhës së errët të pandemisë së koronavirusit që ka mbërthyer globin prej një viti, ishte në qendër të mesazhit të kësaj Pashke të Papa Françeskut. Në mesazhin e tij të Mesditës së Pashkës nga Selia e Shenjtë, kreu i Vatikanit kërkoi shmangien e vonesave në imunizimin e popullatës, kryesisht për vendet e varfra.

“Në frymën e ndërkombëtarizimit të vaksinave, i bëj thirrje gjithë bashkësisë ndërkombëtare për një angazhim të përbashkët në shmangien e vonesave për shpërndarjen e tyre dhe për lehtësimin e shpërndarjes veçanërisht për vendet e varfra”.

Ati i shenjtë veçoi si skandal botëror faktin, që në kulmin e krizave ekonomike e sociale të shkaktuara nga përhapja e COVID-19ës, shumë vende nuk reshtin së luftuari e së shpenzuari para për zgjerimin e arsenaleve të armëve. Papa u bëri thirrje autoriteteve në gjithë botën të mbështesin, ata që i quajti “të varfrit e rinj” që kanë mbetur pa punë, pa strehë e pa para nga lufta me koronavirusin. Në dallim nga viti i kaluar kur katedralja e Shën Pjetrit ishte bosh, këtë herë në sallë u lejua vetëm një numër i kufizuar besimtarësh katolike, të cilët ruanin distancën.

Tv Klan