Të parën dëgjesë për këtë vit, Papa Françesku e zhvilloi me ambasadorët e huaj të akredituar në Vatikan, ku e pranishme ishte dhe Kreu i Ambasadës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë znj.Majlinda Dodaj.

Fjalimin e tij, Ati i Shenjtë e përqendroi tek problemet më kryesore që shqetësojnë globin. Papa Françesku u shfaq kritik në veçanti me politikanët populistë e nacionalistë, që sipas tij kanë tendencën t’u shmangen zgjidhjeve të përbashkëta dhe të minojnë dialogun.

“Politika duhet të shohë drejt të ardhmes dhe jo të kufizohet në zgjidhje afat-shkurtra. Një politikan i mirë nuk pushton hapësira, por nis procese. Atij i kërkohet të sjellë bashkimin përkundër konflikteve, mbi bazën e solidaritetit në kuptimin më të thellë të

tij”, tha ai.

Kreu i Vatikanit bëri thirrje që refugjatëve dhe nevojtarëve t’u hapen dyert dhe të mos u ngrihen barriera kufitare. Ndërsa kërkoi që t’u jepet fund konflikteve në Ukrainë, Siri, Jemen etj që kanë detyruar qindra miliona banorë të braktisin banesat e tyre.

Teksa përshëndeti ambasadorët e pranishëm në fund të dëgjesës, Papa Françesku iu drejtua edhe Ambasadores tonë pranë Selisë së Shenjtë zonjës Majlinda Dodaj me fjalët:

“Unë e dua Shqipërinë”

. Ndërsa zonja Dodaj e falenderoi Atin e Shenjtë për vëmendjen e veçantë dhe simpatinë që ka për Shqipërinë dhe shqiptarët, si dhe e falenderoi për dëgjesën e veçantë që rezervoi për popullin shqiptar, Nëntorin e vitit të kaluar, e zhvilluar në Vatikan me rastin e vitit mbarëkombëtar të Skënderbeut.

Tv Klan