Ati i Shenjtë kërkoi që palët e përfshira të gjejnë një zgjidhje për të garantuar dinjitetin njerëzor dhe prosperitetin

Vdekjet e emigrantëve në Mesdhe janë të papranueshme dhe pothuajse gjithmonë të shmangshme, tha Papa Françesku, duke ripërsëritur një thirrje për politikëbërësit në të gjithë rajonin që ta trajtojnë çështjen në një mënyrë të dobishme për të gjithë.

Papa, bir i emigrantëve italianë në Argjentinë, flet shpesh për të drejtat e emigrantëve dhe ka denoncuar vazhdimisht sesi Mesdheu është kthyer në një varrezë të madhe.

“Paaftësia për të gjetur zgjidhje të përbashkëta për migracionin vazhdon të çojë në një humbje jetësh të papranueshme, veçanërisht në Mesdhe,” tha Françesku në një mesazh drejtuar Rome Med 2022, një konferencë për politikën e jashtme.

Duke këmbëngulur se migrimi drejt Evropës nuk mund të ndalet, ai u kërkoi të gjitha palëve të përfshira të gjejnë një zgjidhje duke garantuar dinjitetin njerëzor dhe prosperitetin e përbashkët. Migrimi ka qenë për vite me radhë një çështje e nxehtë politike në Evropë, me qeveritë që përdorin politika gjithnjë e më të ashpra në përpjekje për të frenuar fluksin e migrantëve dhe azilkërkuesve nga Afrika e Veriut dhe Lindja e Mesme.

Në Itali, një nga veprimet e para të qeverisë së djathtë të Kryeministres Giorgia Meloni ishte refuzimi për të marrë një varkë bamirësie për shpëtimin e emigrantëve, duke e detyruar atë të shkonte deri në Francë dhe duke shkaktuar tensione në marrëdhëniet diplomatike me Parisin.

Meloni po përballet me provën e parë të politikës së saj të imigracionit dhe planit anti-emigrues, i cili parashikon shtyrjen e azilkërkuesve kryesisht meshkuj të moshës madhore të shpëtuar në Mesdheut qendror të cilin autoritetet italiane nuk i konsiderojnë të kualifikuar për mbrojtje ndërkombëtare. 

Sipas të dhënave nga Agjencia e OKB-së për Refugjatët, rreth 136,500 emigrantë kanë arritur në Evropë përmes pikave detare të Mesdheut këtë vit, dhe më shumë se 1,800 kanë vdekur ose janë zhdukur.

Klan News