INSTAT: Në një vit dolën të papune 33.131 individë

Papunësia në Shqipëri ka arritur në të njëjtin nivel me periudhën e kulimit të pandemisë së Covid-19 gjatë 3 muajve të parë të këtij viti, duke dhënë sinjale të dobëta për rikuperimin e këtij tregu pavarësisht rritjes së treguesve të konsumit privat.

Sipas Institutit të Statistikave papunësia regjistroi vlerën 11.9% në janar-mars, duke u shtuar me 0.5 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë dhe 0.1 pikë përqindje më shumë se në fund të dhjetorit 2020.

33 mijë 131 individë rezultojnë të kenë humbur vendin e punës në harkun kohor të një viti, ku goditjen më të madhe në treg e ka dhënë sektori bujqësor dhe ai i shërbimeve, ndërsa industria ka arritur të rikuperojë lehtë numrin e të punësuarve.

Të dhënat tregojnë se numri më i lartë i të papunëve është tek grupmoshat e reja, ku krahasuar me një vit më parë papunësia për këtë kategori është rritur me 3.3%.

Nga ana tjetër pagat rezultojnë të jenë rritur me 5.2% në këtë periudhë të ndikuara nga efekti i rritjes me ligj të pagës minimale dhe rritjes së rrogave në administratë në sektorin e shëndetësisë.

Paga mesatare në sektorin privat u rrit me 900 lekë, e reflektuar më shumë te profesioni i punëtorëve dhe ajo në shtet u shtua mesatarisht me 1300 lekë në muaj.

Tv Klan