Veliaj: Në listë, 450 familje të prekura nga tërmeti

Familjet e prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit që nuk duan të transferohen në lagjet e reja, kanë si mundësi të tërheqin paratë kesh për ta ndërtuar vetë banesën e tyre. Vendimin e Bashkisë së Tiranës e bëri të ditur kryetari i saj Erion Veliaj, teksa iu dorëzoi çelesat e shtëpive të reja 3 familjeve në fshatin Balshaban.

“Kemi miratuar një listë me 450 familje, të cilat mund t’i marrin paratë ‘cash’ nëse janë në një zonë periferike dhe thonë ‘kam punuar në ndërtim në Greqi, Itali apo në Shqipëri, dhe mund ta bëj vetë shtëpinë’, paratë i japim ne dhe ata mund ta ndërtojnë menjëherë vetë”.

Kryebashkiaku shtoi se edhe në Baldushk do të rindërtohet një lagje e re për familjet që humbën shtëpitë nga tërmeti.

“Në Baldushk po bëjmë një lagje mu në qendër të njësisë, pranë rrugës kombëtare, afër spitalit, kopshtit dhe shkollës. Familjet kanë mundësinë e shkëlqyer të marrin shërbimin, pa e humbur pronën e tyre. Ndaj, i ftoj këta qytetarë që, nëse shohin emrin në listë, të vetëofrohen dhe të vendosin nëse do t’i marrin paratë ‘cash’ dhe ta ndërtojnë vetë shtëpinë e tyre, apo nëse duan të marrin një shtëpi në lagjet e reja që po krijojmë në Baldushk, në Ndroq, në Vaqarr, në Pezë dhe në Zallher”.

Të tjera lagje do të ngrihen në zonën e Shkozës dhe atë të 5 Majit.

Tv Klan