Dy shqiptarë janë vënë në pranga nga autoritetet italiane pasi u kapën me një sasi të konsiderueshme kokaine dhe parash në makinën e tyre. Identitetet e tyre nuk janë bërë të ditura nga mediat deri në këto momente.

Ngjarja ndodhi në Bologna, ndërsa siç raportojnë mediat, policia ishte vënë pas tyre për shkak të lëvizjeve të dyshimta që bënin.

Kështu që ata ndoqën makinën “Peugeot 206” me të cilën udhëtonin dy shqiptarët deri në një garazh, të cilin e mbyllën me qepen menjëherë sapo u futën.

Një sjellje tjetër e dyshimtë që bëri që policët të ndërhynin menjëherë. Në momentin e arrestimit, në bagazh u zbuluan 2 kilogramë kokainë. Gjatë kontrollit më të thelluar u zbuluan 60 mijë euro cash, para të cilat shqiptarët dyshohet se i kanë fituar nga ky aktivitet i paligjshëm.

Ata u arrestuan menjëherë, ndërsa paratë, droga dhe makina u sekuestruan në cilësinë e provave materiale./tvklan.al