Deklasifikohet raporti i inteligjencës amerikane, mbi 300 milionë Dollarë financime të fshehta ruse

Partia Demokratike e Shqipërisë ka përfituar rreth 500,000 Dollarë financime ruse në zgjedhjet e vitit 2017. Një fakt i tillë i përmendur edhe më parë në media, zbulohet tani nga një raport i deklasifikuar nga inteligjenca amerikane.

Raporti thotë se Rusia u ka dërguar në mënyrë të fshehtë të paktën 300 milionë Dollarë partive të huaja politike dhe kandidatëve në dhjetëra vende që nga viti 2014 në përpjekje për të fituar ndikim.

Raporti i deklasifikuar nuk jep hollësi për vende specifike. Por një burim i administratës (amerikane) i njohur me gjetjet, pretendon se Rusia shpenzoi rreth 500,000 Dollarë për të mbështetur Partinë Demokratike të qendrës së djathtë në Shqipëri në zgjedhjet e vitit 2017 dhe gjithashtu financoi partitë ose kandidatët në Bosnje, Mal të Zi dhe Madagaskar.

Inteligjenca amerikane “vlerëson se këto janë shifra minimale dhe se Rusia ka të ngjarë të ketë transferuar fonde shtesë fshehurazi në rastet që kanë mbetur të pazbuluara”, tha një zyrtar i lartë i administratës.

“Ne mendojmë se kjo është vetëm maja e ajsbergut,” u tha zyrtari gazetarëve në kushte anonimiteti.

Në një nga rastet më flagrante të përmendura në raportin e ri, inteligjenca amerikane tha se ambasadori rus në një vend aziatik të paidentifikuar i dha miliona Dollarë një kandidati presidencial.

Burimi, i cili nuk ishte i autorizuar të fliste publikisht, tha se Rusia ka përdorur gjithashtu Brukselin si qendër për fondacionet dhe frontet e tjera që mbështesin kandidatët e ekstremit të djathtë. Raporti thotë gjithashtu se ambasadës ruse në Ekuador iu dërguan “sasi të mëdha” parash nga viti 2014 deri në vitin 2017.

Rusia ka përdorur kontrata fiktive dhe kompani guaska në Europë dhe ka kanalizuar më drejtpërdrejt financime të fshehta në Amerikën Qendrore, Azi, Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut. Në disa raste Rusia ka dërguar para në dorë, e ka përdorur kripto-valuta dhe dhurata “bujare”, tha ai.

Shtetet e Bashkuara po ngrenë gjetjet me kombet që u prekën drejtpërdrejt, tha zyrtari i administratës.

Klan News