Parada e Krenarisë, e cila pritet të mbahet në qershor në Maqedoninë e Veriut, paraqet një mundësi për t’u fokusuar te problemet me të cilat përballet komuniteti LGBT, thonë organizatorët e paradës në fjalë.

Irena Cvetkoviç nga Këshilli organizativ i paradës, thotë se ka shumë arsye që në Shkup të organizohet një Paradë e Krenarisë për të thyer paragjykimet dhe për të vënë theksin te problemet me të cilat përballet komuniteti LGBT në Maqedoninë e Veriut, si rrjedhojë stigmatizimit për shkak të orientimit të ndryshëm seksual.

“Ne, si shtet, jemi të fundit në rajon, bashkë me Bosnjën, që nuk kanë organizuar Paradën e Krenarisë. Shëtitjet e këtilla, veçanërisht në rajon ku bën pjesë dhe vendi ynë, më pak kanë të bëjnë me festimin dhe shumë më shumë kanë të bëjnë me përçimin e një porosie protestuese. Qëllimi i paradës është që sërish të hapim çështjet që kanë të bëjnë me të drejtat e komunitetit të LGBT”.

“Presim mbështetje nga të gjitha palët, por se a do të ndodhë kjo, do ta shohim”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Irena Cvetkoviç, nga Këshilli koordinues për organizimin e paradës.

Përfaqësues nga komuniteti LGBT, thonë se Maqedonia e Veriut ka shumë punë për të bërë në drejtim të ngritjes së vetëdijes që kjo pjesë e shoqërisë të mos paragjykohet dhe atakohet.

Jeton Selimi, si përfaqësues i këtij komuniteti, për Radion Evropa e Lirë tregon se sa vështirë e ka pasur ta shprehë orientimin e tij seksual në Maqedoninë e Veriut. Ai thotë se kjo e ka çuar deri te depresioni i thellë, por shton se gjërat janë shumë më të lehta në Londër, ku jeton dhe vepron tash e disa vjet.

“Jeta e një personi që i takon komunitetit LGBT, në Maqedoninë e Veriut është shumë e vështirë, sepse ata vazhdojnë të vuajnë nga abuzimi, diskriminimi, si në gjirin familjar, ashtu edhe në rrjetet sociale. Është shumë e dhimbshme që në njërën anë ka shumë raste të abuzimit ndaj personave LGBT, por në anën tjetër organet e rendit nuk i kanë përballur dhunuesit me organet e drejtësisë”.

“Ndërkohë në Mbretërinë e Bashkuar njerëzit gëzojnë të drejtën të jenë vetvetja. Në Londër paraqet vepër penale diskriminimi në bazë të përkatësisë gjinore, besimit, apo orientimit seksual”, thotë Selimi. Ai ka shkruar dhe një libër që ka të bëjë me përjashtimin e komunitetit LGBT nga shoqëria, ku përshkruan eksperiencën personale rreth goditjeve që ka marrë si i ri, madje dhe nga rrethi më i ngushtë familjarë si rrjedhojë e shprehjes së orientimit të tij seksual.

“Me kënaqësi dëgjoj se tani Qeveria po bën përparim në vizionin për largimin e pabarazive të mëdha, me të cilat ballafaqohet komuniteti LGBT. Qeveria mund të bëjë shumë në drejtim të ngritjes së vetëdijes për ekzistimin e dallimeve dhe për të luftuar intolerancën ndaj orientimit të ndryshëm seksual”, tregon ai.

Përfaqësuesit e LGBT-së në Maqedoninë e Veriu njëherësh kanë kërkuar që në Paradën e Krenarisë të përfshihen dhe personalite nga politika, kultura, arsimi etj., për të sensibilizuar opinionin për rëndësinë e çlirimit të shoqërisë nga paragjykimet.

Një pjesë e qytetarëve janë shprehur se do ta mbështesin paradën në fjalë, por pjesa më e madhe e tyre përmes rrjeteve sociale vlerësojnë se shteti, në vend se të shpenzojë mjete për Paradën e krenarisë, mjetet do të duhej t’i orientonte në shëndetësi, arsim etj.

Kjo i ka shtyrë organizatorët e paradës në fjalë që t’u bëjnë thirrje të gjitha institucioneve të vendit që të jenë në krye të detyrës, në mënyrë që çdo pjesëmarrës të ndihet i sigurt.

“Jemi të vetëdijshëm se ditëve të fundit, përmes rrjeteve sociale kemi të shprehur gjuhën e urrejtjes ndaj personave që i përkasin LGBT-së dhe bëhen thirrje të ndryshme, linçimi i tyre, linçimi i përfaqësuesve të LGBT –së, por më duhet të theksoj se tani radhën e kanë institucionet që të veprojnë me tërë kapacitetin e tyre për të garantuar një tubim të qetë”, thotë Irena Cvetkoviç.

Sociologët theksojnë se shoqëria maqedonase në rrugëtimin e saj drejt bashkimit Evropian duhet të mësohet dhe me vlerat që vlejnë në këto shtete.

“Ne nuk mund ta fusim kokën në rërë si struci dhe të mos shohim rreth nesh, ky grupim realisht është i pranishëm. Si shtet demokratik duhet të mundësojmë të dalin në pah dallimet, me qëllim që të mund të afirmohen si të tilla, përkatësisht të pranohet ekzistimi i tyre”, thotë sociologu Gjorgji Tonovski.

Parada e Krenarisë parashihet të mbahet për herë të parë në Maqedoninë e Veriut në fund të Qershorit.