“Paraja ndjek pacientin”. Ky është parimi i planit të Partisë Demokratike për shëndetësinë, program që kreu i selisë blu e shpalosi këtë të shtunë përpara mjekëve dhe infermierëve.

Basha u shpreh se hapi i parë që do të ndërmerret për realizimin e këtij plani është finalizimi i projektit të kartës së pacientit. Sipas Bashës, situata në spitale është e kolapsuar. Prandaj ai synon që të bëjë një reformë për të gjithë hallkat në këtë shërbim.

Kryedemokrati tha se për shkak të centralizimit, paraja ka shkuar për tendera dhe koncensione. Për ta shmangur këtë ai premtoi autonomi për vendimmarrjen dhe konceptim të spitalit si ndërmarrje.

 “Hapi i parë do të jetë finalizimi i projektit të kartës së pacientit. Pacientit do t’i jepet liria të zgjedhë ku duhet të drejtohet për të marrë shërbimin. Hapi i dytë ka të bëjë me reformën e të gjithë hallkave që do ta japin këtë shërbim. Situata në spitale është në kolaps total. Shkak për këtë mendësia e gabuar që ka çuar drejt centralizimit total. Sa më shumë është centralizuar menaxhimi, aq më pak ka shkuar paraja tek pacienti. paraja ka shkuar në koncesionet e famshme të shëndetësisë. E treta ka tё bёjё me ndaljen e hemorragjisё së personelit mjekësor”, tha Basha.

Kreu i demokratëve në planin e tij parashikohet edhe hapja e një fakulteti të ri mjekësie./tvklan.al