Gjatë javës së ardhshme, Britania e Madhe do të testojë sistemin e saj të paralajmërimit të qytetarëve. Kjo do të thotë që në celularët smartphone të qytetarëve do të mbërrijë një sinjalizim alarmi me qëllim për të provuar sistemin e urgjencës në shtetin ishullor.

Ky është një sistem i krijuar për të lajmëruar britanikët në raste rreziqesh të ndryshme. Testi i parë i provës u zhvillua të martën më 22 Qershor në orën 13:00. Testi i dytë do të zhvillohet pas 1 jave, të martën e ardhshme më 29 Qershor.

Synimi janë përdoruesit me telefonat e mençur, Android ose iPhone, të cilët përbëjnë edhe pjesën dërrmuese të popullsisë. Në celularët e qytetarëve do të shfaqet një mesazh ku do të shkruhet: “Ky është një test i rrjetit telefonik nga shërbimet e urgjencës. Nuk është e nevojshme të ndërmerrni asnjë veprim”.

Sinjalizimi me mesazh do të shoqërohet gjithashtu edhe me një tingull të fortë. Qeveria britanike po teston këtë sistem për të paralajmëruar qytetarët nëse ekziston një situatë rreziku, ku përfshihen terrorizmi, zjarret, përmbytjet dhe emergjencat shëndetësore.

Sisteme të tilla përdoren edhe në SHBA, Holandë, Kanada, Kore e Jugut, Japoni dhe Zelandë të Re. /tvklan.al