Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ka zhvilluar këtë të enjte një takim me përfaqësuesit e Shoqatave të Transportit Ndërqytetas, për të diskutuar sa i takon problematikave dhe kërkesave të tyre, duke pasur gjithmonë në fokus rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve.

Ministrja bëri të ditur se nga dita e nesërme do të nisë një aksion me “grusht të hekurt” ndaj subjekteve që kryejnë aktivitet të paligjshëm. Balluku tha se mes problematikave që hasin shoqatat e transportit është edhe konkurrenca e pandershme.

“Ne presim nga ju që të na informoni për të gjitha ato automjete që në rrugë lëvizin dhe kryejnë funksion të transportit publik. Do të marrim masa menjëherë. Do të kontaktojmë Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Në rast se do të konstatohet nga ata që këtu kryhen veprime të paligjshme sigurisht do të ketë edhe marrjen e masave të duhura. Unë po e bëj me dije sot që të mos kemi nesër nga këto thëniet “ç’qe kjo fushatë që nisi, pse po goditemi”, që të gjitha ato automjete private që në rrugët e Shqipërisë lëvizin duke kryer funksione të transportit në mënyrë të paligjshme duke nisur që nesër, policia do të ketë një aksion për të zhbërë njëherë e mirë të gjithë këtë situatë. Siç me shumë të drejtë përfaqësuesit e shoqatave e transportit thanë një nga arsyet kryesore e problematikave që hasin është edhe konkurrenca e padrejtë që vjen nga subjektet e palicencuara ose nga automjetet private. Subjekt i palicencuar quhet fjalë e madhe kur bëhet fjalë për një automjet privat që hap dyert dhe bën transport publik. Realisht kjo është diçka që do ta marrim shumë seriozisht tashmë. Në këtë moment kur flitet për krizë kaq të madhe globale, kur flitet për çmimet e karburanti të rritura, kur flitet për të gjitha efektet postpandemike. Kur flitet për vetë pandeminë që vazhdon dhe subjektet punojnë me numër të kufizuar qytetarësh ne nuk mund të lejojmë më pavarësisht se kemi pasur disa herë aksione dhe marrje masash, por kësaj radhe do ta bëjmë me grusht të hekurt dhe do ndalojë njëherë e mirë i gjithë transporti i paligjshëm i cili afekton negativisht sistemin tonë të transportit të qytetarëve, qoftë ai brenda qyteteve dhe jashtë qytetas”, tha Balluku.

Ministrja, por edhe disa prej përfaqësuesve të shoqatave të transportit, vlerësuan platformën E-transport.  “Është zgjidha më e mirë për një të ardhme që të mos kemi as evazionin fiskal dhe sigurisht ajo që ju ka munduar më shumë, konkurrenca e pandershme”, tha Balluku.

Balluku tha se do të diskutohen me Bashkitë për terminalet. Ajo u shpreh se nuk mund të pritet pafundësisht nga pushtetet lokale për të gjetur zgjidhje./tvklan.al