Kryetari i PD, Lulzim Basha ishte pjesë e një takimi me fokus integrimin. Basha tregoi edhe për angazhimin e tij për të ndërtuar një shtet në 5 shtyllat e demokracisë, të shkëputur nga krimi dhe që garanton zbatimin e ligjit e Kushtetutës.

Basha foli për ndryshimin e Kushtetutës me qëllim fuqizimin e institucionve. Ai u shpreh se duhet një Kushtetutë që të mos ketë vend për autoritarizëm abuzivizëm.

“Këto janë 5 shtyllat e demokracisë: Një parlament i cili përfaqëson interesin e qytetarëve, i pastër nga krimi, i shkëputur nga lidhjet kriminale, që e mban qeverinë përgjegjëse dhe nuk është manar i qeverisë, një drejtësi e pavarur e cila garanton zbatimin e ligjit, media e pavarur që bën transparencën, një opinion publik i shëndoshë aktiv. Hapat e menjëhershëm besoj jua shpjegova. Megjithatë nuk është momenti tani, por shumë shpejt, shumë shpejt, brenda këtij viti do t’iu përvijojmë shqiptarëve horizontin e një kushtetute të re. Horizontin e një kushtetute të re e cila të japë zgjidhje afatgjata për mos përqendrimin e pushtetit, për ndarjen dhe balancimin e pushtetit, për trios politika, për pavarësinë e institucioneve të pavarura, për fuqizimin e institucioneve dhe dobësimin e influencës në kuptimin malinj të fjalës politike mbi institucionin. Pa diskutim që do të jetë një ushtrim kombëtar i cili duhet të na përfshijë të gjithëve, kundërshtarin politik nesër në opozitë, shoqërinë civile dhe gjithë ekspertizën e domosdoshme kombëtare dhe ndërkombëtare për ti dhënë shqiptarëve një tjetër kornizë të lojës kushtetuese ku mos ketë më xhepa për autoritarizëm, për abuzivizëm apo për t’i dhënë goditje pothuajse vdekjeprurëse kolonave kryesore të kontrollit dhe të balancës së pushteteve”, deklaroi Basha.

Basha: Zotimi im, Shqipëria në BE me të drejta të plota

Lulzim Basha u zotua këtë të martë se kur të vijë në pushtet do ta anëtarësojnë Shqipërinë në Bashkimit Europian me të drejta të plota. Ai tha se brenda 6 muajve të parë, forca politike që drejton do të bëjë realitet konferencën e parë ndërqeveritare Shqipëri-BE.

Në një bashkëbisedim me përfaqëues të shoqërisë civile, në Forumin për Integrimin, Basha tha se 25 Prilli nuk është thjeshtë një garë elektorale, por një udhëkryq, nëse Shqipëria do të çojë deri në fund rrugëtimin e saj europian ose jo.

“Për ne, për Partinë Demokratike, për mua, Shqipëria europiane fillon me mirëqeverisjen. Zbatimi do të jetë fjala kyçe e reformave të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Unë dhe Partia Demokratike vijmë nga një trashëgimi bindëse në zbatimin e reformave. Liberalizimi i vizave ishte rezultat i merituar i reformave transformuese. Në 2 vite e gjysmë u përmbushën 150 kushte… Ne kishim besimin e qytetarëve dhe drejtonim Shqipërinë kur patëm ftesën për t’u anëtarësuar në NATO”, tha mes të tjerash Basha.

Basha: Rama si Enver Hoxha, qeveria e ardhshme nuk e ndalon emigracionin

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, konsideron fajtor Edi Ramën për gjendjen e Shqipërisë, që sipas kryeopozitarit ka mbetur në vendnumëro. Ai u shpreh se kryeministri Rama ka pasur të gjitha pushtetet që nga koha e Enver Hoxhës dhe prapë se prapë ka dështuar.

Basha tha se qeveria e ardhshme nuk do ta ndalë emigracionin, por janë arsyet se pse emigrojnë të rinjtë që tregojnë nëse ka dështuar një qeveri apo jo.

“Shqiptarët e duan vendin e tyre. Nuk është fati i shqiptarëve që gjendemi këtu. Nuk janë shqiptarët përgjegjës për gjendjen ku ndodhet vendit. Ka vetëm një përgjegjës, i cili ka pasur të gjitha pushtetet 4 vitet e fundit si asnjë tjetër, si nga koha e Enver Hoxhës dhe që ka dështuar dhe si rezultat i kësaj kemi mbetur në vendnumëro. Kjo është arsyeja pse emigracioni ka marrë përmasa katastrofike, emigracion ka patur dhe do të ketë gjithmonë. Do të ishte gënjeshtër totale t’ju thoja unë sot që qeveria e ardhshme do ta ndalë emigracionin. Jo nuk do ta ndalë emigracionin. Emigracion ka edhe Gjermania, janë përmasat e emigracionit, arsyet e emigracionit ato që tregojnë nëse një qeveri ka dështuar apo jo në këtë aspekt”, tha Basha.

Ndër të tjera ai shtoi se për çdo të ri që largohet nga Serbia largohen 12 të rinj nga Shqipëria.

Basha: Po të kesh vullnet politik dyfishohen pagat duke ulur taksat

Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, u shpreh se kryeministri Edi Rama ul pritshmëritë për të justifikuar dështimet dhe mosmbajtjen e premtimeve.

Ai u shpreh se gjatë kohës së qeverisjes së PD-së Shqipëria hyri në NATO, iu liberalizuan vizat, dhe ndërtoi Rrugën e Kombit. Të gjitha investimet janë të mundura me vullnet politik.

Po ashtu, kreu i demokratëve shtoi se me vullnet dyfishohen pagat duke ulur taksat.

“Ulja e pritshmërive për të justifikuar dështimet e tua, mosmbajtjen e premtimeve dhe ngecjen e Shqipërisë në baltë për 8 vite është thika e fundit që Edi Rama  i fut Shqipërisë para largimit të tij me 25 Prill. Me uljen e pritshmërive vjen dhe vrasja e besimit. Pse zotëri para 10 vitesh hiqeshin vizat, futej Shqipëria në NATO? Pse para 10 vitesh kishim vepra më të mëdha infrastrukturore që ndërtohen dhe nuk kishim Prodhim të Brendshëm Bruto më të madh e as të ardhura më të mëdha? Pse u mbush me besim ekonomia shqiptare? Sepse ngriheshin pritshmëritë, thonim asgjë nuk është e pamundur për ne. Nuk ka më t’i biesh nga Maqedonia e Veriut për të shkuar në Kosovë se çahet mali, bëhet rruga. Po, dyfishohen pagat e mësuseve po të kesh vullnet politik edhe duke i ulur taksat madje. Gjëja e parë që duhet të bëjmë që duhet të shkojnë përtej planeve dhe që janë të zbatueshme është t’u themi shqiptarëve që kjo që kemi sot është më e keqja që kemi pasur ndonjëherë”, tha Basha.

3 parimet e Bashës për politikën e jashtme

Lulzim Basha thotë se politika e jashtme nën drejtimin e tij do të ketë 3 parime kyçe. Ndër to janë partneriteti strategjik me SHBA-në që sipas tij nuk duhet të mbetet vetëm parullë, anëtarësimi në BE dhe nxitja e bashkëpunimit rajonal efektiv.

Kreu i demokratëve u shpreh se qeveria Rama i ka vënë shkelmin një tradite të krijuar nga Shqipëria në frymën e bashkëpunimit të politikës së jashtme.

“Për fat të keq edhe kësaj tradite i është vënë shkelmi. Qoftë s i përket qasjes për Kosovën, ku nën rrogoz është punuar kundër objektivave kombëtare të një Kosove shtet i pavarur, unik, integral në përputhje me parimet e paketës Ahtisari si kompromis kombëtar jo thjesht kosovar, por kombëtar i shqiptarëve drejt njohjes së ndërsjellë me Republikën e Serbisë dhe drejt rrugëtimit të saj për tu bërë anëtare e NATO-s dhe BE-së. Përpjekja për ndryshim kufijsh dhe shkëmbim territoresh shkonte kundra kësaj dhe kundër arkitekturës së brishtë të paqes që u ndërtua nga SHBA, NATO dhe BE këto vite. Ishte diçka unilaterale e paparë në këto 30 vite, kur edhe në kohën kur partitë politike shqiptare kanë qenë në kulmin e armiqësisë prapë se prapë për këto çështje ka pasur gjithmonë një dakordësi”, tha Basha.

Sa i përket marrëdhënieve me Greqinë, Basha u shpreh se u ka përsëritur autoriteteve atje gjatë takimeve të fundit se qëndrimi i tij është që marrëveshja e kthyer nga Gjykata Kushtetuese të shkojë në Gjykatën Ndërkombëtare.

“Qëndrimi ynë është i qartë dhe ka qenë i qartë prej fillimit. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese ka vetëm një rrugë që është gjykata ndërkombëtare. Këtë qëndrim e kam bërë të qartë prej  viteve. Ua kam përsëritur autoriteteve greke gjatë vizitave të fundit dhe kontakteve me ta. Në këtë kuadër duhet të mbizotërojnë të gjitha parimet e njohura dhe të zbatueshme duke përfshirë ato të mos ndryshimit të rregullave në mes të lojës. Edhe me Greqinë, Shqipëria ka interes kombëtar dhe duhet të prijë interesi kombëtar i marrëdhënieve sa më të mira të fqinjësisë dhe i rritjes së bashkëpunimit në një potencial të madh akoma të pashfrytëzuar”./tvklan.al