Një valë e paprecedentë xhihadistësh, të njohur ndryshe si “luftëtarët e huaj” po mësyjnë në Europë. Alarmi vjen nga shefja e antiterrorizmit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Lisa Monaco. Gjatë vizitës së saj në Bruksel, ku u takua me kryeministrin Charles Michel, zyrtarja amerikane nxiti autoritetet belge të ndajnë më shumë informacione me vendet aleate në luftën kundër ISIS.

Monaco konfirmoi se SHBA-të po bashkëpunojnë me Blegjikën në hetimet mbi sulmet terroriste në Bruksel e Paris. Shefja e antiterrorit amerikan nënvizoi se Europa kërcënohet nga rreziqe; Kthimi në Kontinentin e Vjetër i luftëtarëve të stërvitur në kampet xhihadiste në Siri, si edhe aftësia e Shtetit Islamik për të radikalizuar një numër të madh njerëzish në tokën europiane, duke i bindur të kryejnë sulme terroriste në vendin ku ndodhen.

Zyrtarët amerikanë nënvizojnë se problemi nuk është vetëm ndarja e informacionit, por edhe shpejtësia e këtij shkëmbimi, pasi sot në Europë ekzistojnë celula që janë të afta të kryejnë sulme në shumë pak kohë. Një tjetër rrezik që kërcënon është edhe infiltrimi i terroristëve mes fluksit të emigrantëve që vijnë nga Lindja e Mesme.

Sipas të përditshmes gjermane “Noje Osnabryker Cajtung”, policia federale gjermane ka marrë më shumë se 369 sinjalizime për persona të dyshuar si terroristë që kanë hyrë në Gjermani bashkë me refugjatët sirianë. 40 nga këto sinjalizime ishin dyshime konkrete./ TV KLAN