Task-Forca speciale e Policisë së Shtetit mesa duket është duke zhvilluar një tjetër operacion të madh për të goditur grupet kriminale në vend.

Kryeministri Rama ka bërë me dije se pritet që Policia e Shtetit ditën e nesërme të njoftojë për rezultatet e një tjetër operacioni masiv në kuadër të “Forcës së Ligjit”.

Kreu i qeverisë foli ndër të tjera për të ashtuquajturit “të fortë”, për të cilët tha se nuk do të ekzistojnë më.

“Do të jemi shumë të ashpër me të fortët. Nesër besoj publiku do të njihet me rezultatet e një tjetër operacioni që është në vijim.

Lufta me të fortët do të vazhdojë deri sa i forti i fundit të kuptojë se nuk ka të fortë në këtë vend, pasi del nga shtëpia, i fortë është komuniteti. Ne do t’i detyrojmë o të vihen në resht dhe të respektojnë ligjin e këdo qoftë, ose ka vetëm një vend për ta, aty ku shkuan sot ata që janë brenda. Historia që një lagje e tërë shqetësohet pse ky fis na ka makina e muskulaturë të zhvilluar, do të mbarojë në këtë vend.

Këto janë sjellje që prej vitesh kanë fituar një lloj qytetarie si ato ndërtimet pa leje që janë të palegalizueshme. Në këtë aspekt dua t’i siguroj të gjithë qytetarët që shteti do të jetë në krah të tyre”,

u shpreh Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me banorë të Laprakës.

/tvklan.al