Rritet tensioni në Hong Kong, që gjendet në ditën e tretë të protestave antiqeveritare. Mbi 100 fluturime janë pezulluar në kuadër të grevës së përgjithshme për mbrojtjen e rikthimin e demokracisë, asaj që kanë përjetuar gjenerata e fundit përpara se qyteti të rikthehej nën varësinë e Pekinit.

Në terren gjatë protestave janë verifikuar përplasje mes protestuesve të cilët kanë hedhur sende të forta ndaj forcave policiore, ndërsa këta të fundit kanë përdorur gaz lotsjellës për shpërndarjen e turmave.

Protestat që kërkojnë rikthimin e demokracisë në ish-koloninë angleze vijojnë prej muajsh, duke u krijuar një situatë mjaft e rrezikshme. Por qeveria është e vendosur të rikthejë dhe garantojë qetësinë dhe rregullin publik, ka deklaruar kreu i ekzekutivit të Hong Kong, Carrie Lam, e cila ka ripërsëritur se nuk do të japë dorëheqjen pavarësisht sulmeve ndaj administratës së saj.

Reagimi i saj ka ardhur në një konferencë për shtyp pas javësh të tëra përplasje mes protestuesve dhe policisë, ku kjo e fundit ka qëlluar edhe me plumba gome dhe gaz lotsjellës.

Ndërkohë situata ka ndikuar edhe në bursë, ku ajo e Hong Kongut ka pësuar rënie, sikurse edhe të tjera bursa aziatike të ndikuara ndër të tjera edhe nga ashpërsimi i tratativave mes SHBA dhe Kinës për sanksionet.

Klan Plus