Kryebashkiaku i Brukselit, Yvan Mayeur pranoi se hetuesit belgë kanë bërë gabime, sepse përndryshe sulmet e 22 Marsit nuk do të kishin ndodhur.

Ai ndodhet në Paris, ku u takua me Kryebashkiaken e Parisit, An Hidalo, si dhe iu drejtua Këshillit Bashkiak për sulmet në Bruksel.

Kryebashkiaku i kryeqytetit belg u kritikua nga mediat belge, për veprimet e ndërmarra përpara dhe pas sulmeve të Brukselit, ku humbën jetën 35 persona dhe u plagosën qindra të tjerë.

I pyetur nga radio franceze, nëse rrjeti i ekstremistëve që kreu sulmet në Bruksel dhe Paris është shkatërruar, ai u përgjigj:

“Në shpresojmë dhe besojmë të jetë kështu”.

Yvan Mayeur e quajti plotësisht të gabuar lirimin e Fajkal Cefu, që u mendua se ishte personi me të bardha, krah dy kamikazëve duke argumentuar se i dyshuari ishte përpjekur në mënyrë aktive të rekrutonte ne emër të xhihadit, në një park të Brukselit. Ai u la i lirë të hënën dhe prokurori federal tha se informacionet që çuan në arrestimin e tij, nuk u mbështetën nga hetimet.

Të martën, institucionet europiane u rihapën ndërsa janë shtuar kontrollet dhe masat e sigurisë. Sipas autoriteteve belge, aeroportit të Zaventemit do t’i duhen disa muaj,  për të funksionuar plotësisht.

Tv Klan