Ndonëse me urdhër mbrojtje nga gjykata, një grua nuk i ka shpëtuar sërish dhunës nga bashkëshorti i tij në Tiranë, i dënuar më parë për të njëjtën vepër penale.

Kështu, policia njoftoi këtë të enjte parandalimin e një ngjarje të rëndë të mundshme në një familje në Yrshek. Efektivët shkuan në banesë e një çifti, pasi u njoftuan se bashkëshorti 41-vjeçar po dhunonte gruan dhe po e kërcënonte se do ta vriste me thikë.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, pas njoftimit të marrë se në Yrshek, në ambientet e banesës, shtetasi Ç. M. kishte shkelur urdhrin e mbrojtjes të vendosur nga Gjykata për bashkëshorten e tij dhe po ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike ndaj saj, si dhe po e kërcënonte atë me thikë, menjëherë kanë shkuar në adresën e dhënë duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës dhe ngjarjen e mundshme kriminale. Shërbimet e Policisë kanë prangosur shtetasin Ç. M., 41 vjeç, si dhe kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale mjetin prerës (thikë), me të cilën ky shtetas e kërcënonte për ta vrarë bashkëshorten e tij”, thotë policia në njoftimin e saj për mediat./tvklan.al