Policia e Tiranës ka parandaluar një ngjarje të rëndë kriminale në familje. Në pranga ka rënë një 54-vjeçar me iniciale O.M nga fshati Gurrë e Vogël. Ai kërcënonte bashkëshorten dhe fëmijët për t’i vrarë.

Policia ka ndërhyrë për këtë ngjarje pas marrjes së njoftimit se ky person po kërcënonte fëmijët dhe gruan në banesë. Autori u kap pas operacionit të koduar “Befasia”.

54-vjeçari ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij dhe 3 fëmijëve të tyre në mënyrë sistematike. Në momentin e ndërhyrjes së Policisë, 54-vjeçari u kap me pistoletë në dorë, me fishek në fole gati për qitje duke kërcënuar bashkëshorten dhe tre fëmijët për t’i vrarë.

Shërbimet e Policisë ushtruan kontroll të imtësishëm në banesë dhe gjatë kontrollit gjetën dhe sekuestruan dy armë zjarri (pistoletë e pushkë), një sasi fishekësh luftarak për pistoletë dhe për pushkën, tre kallëpe tritoli dhe një thikë./tvklan.al