Ndërhyrja në kohë e policisë parandaloi këtë të premte një ngjarje e cila mund të kishte pasur pasoja të rënda. Një konflikt i ashpër për motive pronësie mes dy personave në Kamëz, bëri që një prej tyre të merrte çiften dhe të hapte zjarr. Autor i ngjarjes është një 51-vjeçar me iniciale G. N., i cili u arrestua nga policia.  

“Ky shtetas, pas një konflikti për motive pronësie me shtetasin G. B., me vetëgjyqësi ka qëlluar në drejtim të këtij shtetasi, pa e dëmtuar atë, duke prishur rendin dhe qetësinë publike. Falë reagimit dhe ndërhyrjes në kohë të Policisë u bë parandalimi i përshkallëzimit të mëtejshëm të këtij konflikti dhe arrestimi në flagrancë i autorit të dyshuar të ngjarjes”, thotë policia në një njoftim për mediat.

Autoritetet sekuestruan armën e gjahut, të cilën 51-vjeçari e kishte me leje. Mbi të tashmë rëndojnë akuzat si kanosje, vetëgjyqësi dhe prishje e rendit dhe qetësisë publike./tvklan.al