Nuk kanë të ndalur parashikimet e frikshme të zyrtarëve amerikanë për koronavirusin në Shtetet e Bashkuara. Guvernatori i New York paralajmëron se 4/5-at e të infektuarve e që kanë nevojë për intubim në sallat e terapive intensive do të ndërrojnë jetë.

Sipas përllogaritjeve të ekspertëve pranë tij, jetën e rrezikojnë të paktën 16 mijë njujorkezë. Aktualisht New York numëron mbi 1300 të vdekur, 25% e totalit të të gjithë Shteteve të Bashkuara. Aktualisht në gjithë vendin numërohen mbi 201 mijë raste aktive infektimi, gati gjysma e të cilave në New York.

Një ditë më pare, Presidenti amerikan Donald Trump tha se nëse nuk respektohen në mënyrë strikte regullat për parandalimin e përhapjes së pandemisë, në Shtetet e Bashkuara rrezikohen deri 200 mijë viktima.

Presidenti i Filipineve Rodrigo Duterte bëri sërish bujë edhe në mesin e kësaj pandemie me urdhërat e tij. Kush nuk respekton rregullin e ndalimit të daljes nga shtëpitë, do të qëllohet me armë për vdekje nga forcat e rendit, ishte urdhëri i tij, që të kujton atë të pak viteve më parë kur nisi fushatën e përgjakshme të vrasjeve të konsumatorëve dhe tregtarëve të lëndëve narkotike. Filipinet numërojnë 107 të vdekur dhe mbi 2600 të infektuar.

Masat e ashpra kundër përhapjes së koronavirusit në Spanjë kanë nisur të japin efektet negative në ekonomi që në muajin e parë të zbatimit. Mbi 900 mijë persona humbën vendet e punës nga mbyllja e bizneseve, një shifër tepër e lartë teksa vendi ka nivelin më të lartë të të papunëve në Eurozonë, mbi 13%.  Spanja është vendi i dytë në Europë për nga numri i viktimave dhe të infektuarve, teksa ritmet ende nuk po bien, në dallim nga Italia ku tashmë përhapja është nën kontroll.

Sipas OBSH-së, shifra e të prekurve nga koronavirusi në gjithë globin është pranë 1 milionëshit, ndërsa afro 48 mijë janë të vdekurit.

Tv Klan