Europa, kontinenti me numrin më të lartë të viktimave

Presidenti amerikan Donald Tramp paralajmëroi se 100-200 mijë persona mund të humbin jetën nga infektimi me Covid-19. Në një konferencë nga Shtëpia e Bardhë, ai u shpreh se dy javët në vazhdim janë pika kulmore dhe më e dhimbshme e luftës kundër koronavirusit. Ai u bëri thirrje qytetarëve amerikanë të mbajnë distancë nga njëri-tjetri dhe të mos qëndrojnë në grupe, për të shmangur përhapjen e virusit. Shtetet e Bashkuara numërojnë aktualisht mbi 185 mijë të infektuar dhe më shumë se 4 mijë të vdekur.

Europa është kontinenti me më shumë viktima në gjithë botën, një shifër që së fundi ka kapërcyer mbi 30 mijë. Spanja shënoi rekord të ri ditor prej 864 viktimash, mbi 9 mijë në total. Aktualisht llogariten mbi 70 mijë të infektuar me një numër që vijon të rritet dita ditës.

Ndërsa në Itali u shënuan 727 të vdekur gjatë këtyre 24 orëve, më pak të vdekur se ditët e fundit. Totali i tyre ka arritur në mbi 13 mijë. Shifrat e të infektuarve të rinj vijojnë të tregojnë stabilitet, afro 3 mijë në 24 orët e fundit dhe një total aktual prej mbi 80 mijë. Po rriten po ashtu me ritme të shpejta, shifrat e të shëruarve.

Edhe në Britaninë e Madhe po shtohen shifrat ditore të viktimave 563 në 24 orët e fundit me një total prej mbi 2300. Aktualisht numërohen afro 27 mijë të infektuar.

Virusi ka prekur mbi 90% të vendeve të botës, ku aktualisht numërohen mbi 640 mijë të infektuar dhe mbi 42 mijë viktima.

Tv Klan