Negociatat mes Athinës dhe Shkupit për çështjen e emrit të Maqedonisë do të nisin më 18 dhe 19 Janar në New York. Mediat greke shkruajnë se ndërmjetësuesi i Kombeve të Bashkuara, Methju Nimiç do të takohet me përfaqësuesit e Maqedonisë dhe Greqisë, Vasko Naumo`cski dhe Adamantios Vasilakis. Tre janë variantet për emrin, që Nimiç pritet t’u parashtrojë atyre, “Maqedonia e Re”, “Maqedonia e Epërme” dhe “Maqedonia Veriore”.

Pala greke është e përçarë. Kryeministri Aleksis Cipras, i cili mbështet variantet ndërkombëtare tha të enjten në mbledhjen e qeverisë se negociatat pritet të jenë të vështira. Partneri i tij kryesor në koalicion, Panos Kamenos kundërshton kategorikisht të gjitha alternativat që përmbajnë emrin Maqedoni. Nuk përjashtohet mundësia që për këtë çështje, Kamenos të dalë nga koalicioni.

Athina ka paralajmëruar Shkupin se nuk do ta pranojë referendumin e brendshëm në Maqedoni, pasi anketimet tregojnë se shumica e votuesve janë kundër ndryshimit të emrit shtetëror. Greqia kërkon po ashtu që Maqedonia të heqë monumentin e Aleksandrit të Madh nga sheshi qendror i Shkupit dhe nga emërtimi i aeroportit ndërkombëtar.

Kryeministri maqedon, Zoran Zaev është optimist se kjo çështje do të zgjidhet deri në korrik. Nëse çështja zgjidhet, Maqedonia merr ftesën për antarësim në NATO, në samitin e Brukselit më 11 dhe 12 korrik.

Tv Klan