Ibrahim Kalesiç është prova e gjallë se sportet ekstreme nuk janë gjithmonë vetëm për të rinjtë. Në moshën 88-vjeçare ai mban veten në formë duke u hedhur me parashutë nga avionët.

“Është një ndjenjë e shkëlqyer,” thotë 88-vjeçari, i cili u njoh me këtë sport më shumë se 70 vite më parë, pasi përfundoi hedhjen e tij të 1,487-të gjatë një konkursi parashutizmi në qytetin perëndimor të Bihacit në fundjavë.

Gjatë rinisë ai u stërvit në Serbi përpara se të bëhej vetë instruktor. Në vitin 1963, ai vendosi një rekord duke u hedhur nga një avion në një lartësi prej 5500 metrash.

“Unë jam parashutisti më i vjetër aktiv në Evropë. Dëshiroj të vazhdoj ta bëj këtë edhe 10 vite të tjera, në mënyrë që të futem në librin e rekordeve botërore Guinness.”

Dëshira e tij më e madhe është të ketë një ditë parashutën e tij dhe një tjetër që ta përdorë për të stërvitur të apasionuarit e rinj.

“Unë jam një pensionist pa mjete për të blerë një parashutë dhe do të doja të kisha një për të trajnuar studentët e mi, të cilët më pas do të më zëvendësonin në hedhjet me parashutë.”

Ai ka një recetë të thjeshtë se si ia del që në këtë moshë të jetë aktiv.

Hedhja me parashutë është një sport ekstrem dhe kërkon përqendrim. Për të qenë i përqendruar mirë, njeriu duhet të flejë mirë dhe për ta bërë këtë duhet të ketë një vetëdije të qartë se nuk ka ofenduar apo dëmtuar askënd, dhe më pas mund të flejë pa ankthe dhe kështu do të jetë në gjendje të hidhet.”

Ai përfundon duke thënë se ushtrohet çdo ditë për 15 minuta dhe gruaja e tij siguron që ai të jetë i kujdesshëm me dietën e tij.

Klan News