Hetimet e përbashkëta të autoriteteve italianë dhe shqiptare zbuluan se kokaina nisej nga Ekuadori drejt portit të Roteradamit në Holandë dhe nga aty kishte destinacion Barin në Itali. Ndërsa nga Shqipëria dërgohej drejt portit të Barit heroina për tu shitur në shtetin fqinj. Itinerari që ata kanë ndjekur është zbuluar nga përgjime telefonike, mjedisore, regjistrime video e foto apo dhe nga bashkëpunëtor të drejtësisë.
Siç duket edhe nga pamjet e bëra publike nga anti-mafia italiane, droga e kishte logo të ndryshme, përfshirë atë të Audi, Paris dhe Leon. Emërtimet nënkuptonin grupet kriminale ku do dërgohej kokaina. Hetuesit kanë gjetur dhe lista ku shënoheshin shumat a parave dhe të shpërndarjes së drogës. Grupi kriminal i goditur i shqiptarëve i kishte rolet e ndara, sipas funksioneve që kryenin, nga porositësit tek ata që kalonin lëndën narkotike për në Itali.
Mes tyre kishte dhe punonjës të policisë dhe drejtësisë.
Pakot me para të përftuara nga aktiviteti kriminal janë transportuar nga Bari i Italisë në Shqipëri, përmes agjencive të transportit me autobus.
“Kemi arritur të filmojmë që personat nga Italia ia besonin paratë agjencive të transportit me autobus, që vinin në Shqipëri. Edhe ky aktivitet për eliminimin e vështirësive në kalimin e kufijve është arritur përmes shkëmbimit të informacionit, janë kryer lokalizime përmes GPS. Kemi arritur të shohim paratë që nga Italia, Bari, shkonin te shoferët e autobusëve. Nga autobusi vinin në Shqipëri. Fluksi i parave është kuptuar nga të gjitha të dhënat e marra nga chat-et, fotografi të këtyre bisedave në celular. Përveç lëndëve narkotike edhe pako me para e letra të shkruara me dorë për të dhënat ekonomike të grupit”, tha Ettore Cardinal, Prokuror i Antimafias, Bari.
Sipas antimafias bëhet fjalë për 4.5 milionë Euro të transportuara drejt vendit tonë.
Klan News