Kursimi është një nga mënyrat që prindërit shpesh zgjedhin për të edukuar fëmijën nga ana financiare. Përmes tij, fëmija mund të grumbullojë para duke kryer detyrat e ngarkuara nga prindi që më pas mund të zgjedhë t’i shpenzojë, të kuptojë vlerën e asaj që kursen dhe përdor duke krijuar përgjegjësinë e tij financiare.

Këtu lind një pikë e rëndësishme për t’iu mësuar fëmijës: t’i tregojë prindit si po vepron me paratë. Në bisedën e programit “Shije Shtëpie” në Tv Klan, Suela Koçibellinj thekson rëndësinë e këtij aspekti duke  sjellë një shembull konkret sesi një fëmijë kishte marrë para nga kursimet e tij për t’ia dhënë dikujt që e presiononte.

“Megjithëse fëmija ka lekun e vet, pra në parim ka lekun e vet të cilin ia kanë dhuruar, mirë është te ajo para të kontrollojë prindi sepse fëmijët kanë tendencë të thonë është imi kjo dhe nuk duan të japin llogari. Edhe për atë paranë që marrin duhet të tregojnë. E di pse? Kush ishte rasti i fundit në shkollën e vajzës sime dhe ime bijë më tregon dje që një fëmijë i klasës kishte sjellë 20 mijë lekë për t’ia dhënë borxh dikujt në shkollë. Kjo u mor vesh nga mësuesja dhe e vërteta është se i kishte bërë presion dikush më i rritur dhe ai i kishte marrë nga paraja e vet në shtëpi. Por kështu fëmija yt ngelet peng i dikujt që është keqbërës, keqdashës”.

Rasti ishte identifikuar nga mësuesja, por mbetet një rrezik ndaj të cilit fëmijët mund të ekspozohen nëse prindërit nuk tregojnë kujdes.

“Fjala kishte dalë sepse fëmijët e klasës e kishin parë, ia kishin thënë mësueses dhe justifikimi i tij ishte   paratë e mia mora në shtëpi”, përfundon aktivistja./tvklan.al