Një shqiptar dhe një grek qëndrojnë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur orët e para të së shtunës në Selanik, ku mbeti i vrarë një 44-vjeçar. Ngjarja e rëndë ndodhi në një dyqan, rreth orës 04:00 mëngjesit.

Të armatosur e të maskuar, autorët, një 27-vjeçar shqiptar dhe një 35-vjeçar grek, identiteti i të cilëve nuk është publik, u futën në dyqan dhe nën kërcënimin e armës i kërkuan shitësit paratë.

Por kur 44-vjeçari bëri rezistencë, shqiptari e goditi atë me qytën e pistoletës e më pas me një plumb në kokë. Shitësi u dërgua në spital, por plagët ishin të rënda dhe nuk mundi të mbijetonte. Pas krimit autorët u larguan duke marrë sa më shumë para të mundeshin.

Ata ishin në këmbë e me armë në dorë, kur u futën në dyqan, ndërsa autoritetet arritën që t’i identifikonin nga shenjat gishtërinjve të lëna në skenën e krimit.

Orët e vona të së dielës policia mundi të arrestonte bashkëpunëtorin e shqiptarit, e pas tij mëngjesin e sotëm arrestuan në shtëpinë e tij edhe autorin e dyshuar të ngjarjes, 27-vjeçarin shqiptar. Mediat greke shkruajnë se ai e ka pranuar krimin. Ndërsa gjatë orëve të mesditës, bashkëpunëtori i tij grek u shoqërua në prokurori./tvklan.al