Zbardhet dëshmia e sanitares Rozeta Dobi

Shumat e mëdha të parave të disponuara nga ish-zyrtarja e lartë Alda Klosi në kesh sipas dëshmisë së sanitares së saj, Rozeta Dobi, kanë qenë prezente në banesat e saj që prej vitit 2018.

Tv Klan nëpërmjet dokumenteve hetimore që disponon, zbardh dëshminë e plotë të dhënë para hetuesve nga Rozeta Dobi, e cila ktheu ish-zyrtaren nga viktimë e një vjedhje, në një të dyshuar për pastrim parash, mosdeklarim të pasurisë dhe deklarim të rremë para policisë.

“Deklaroj se tek pallati i ri ku ka banuar Alda Kloso i cili gjendet afër “Mozaikut  të Tiranës”, për herë të parë kam vënë re, sipër krevatit të mbuluar me batanije disa tufa në Lekë dhe Euro. I kam marrë ato dhe kam futur në sirtar tek komoja e krevatit të Aldës. Pas ketij momenti kam telefonuar Aldën dhe kam treguar se Lekët dhe Eurot që kishe mbi krevat t’i kam futur në sirtar tek dhoma gjumit, ajo më është përgjigjur faleminderit. Këtë fakt e kam konstatuar në fillimet e punës time rreth muajve të verës së vitit 2018”.

Historia e parave kesh, vijon në 2021 dhe 2022 sipas Dobit, paratë vinin në kuti.

“Kam parë disa kuti me vlera të mëdha monetare në Euro. Këtë fakt e kam konstatuar gjatë kohës së pastrimit të dollapeve. Për mënyrën e lëvizjes së tyre nuk kam dijeni se ku merrte dhe ku i dërgonte ato Alda. Këtë konstatim kam bërë rreth vitit 2021. Deklaroj se këto kuti me Lekë kanë qëndruar në këtë banesë deri nga fundi i vitit 2022. Prerjet e këtyre Eurove që gjendeshin në këto kuti ishin të prerjeve të ndryshme nga 500 deri në 20 Euro”.

Rozeta Dobi tha se paratë që u gjetën në banesën e saj i mori me kërkesë të Alda Klosit, e cila ndihej e kërcenuar nga ish-burri.

“Në ditët e fundit të muajit Dhjetor të 2022, datën e saktë nuk më kujtohet, Alda ka bërë një bisedë me mua dhe më ka kërkuar që unë t’i mbaja në banesën time të gjithë shumën që është sekuestruar nga policia, pasi ajo kishte frikë nga ish-bashkëshorti, i cili e kërcënonte. Duke qenë se kisha vite që pastroja në banesën e saj, pranova këtë fakt. Ajo më kishte treguar se Eurot dhe Dollarët gjendeshin në kasafortën brenda dollapit të rrobave. Kam marrë kasafortën, e kam futur në një çantë, kam zbritur poshtë kam hipur në makinë me djalin dhe i kam çuar në banesën time, në Unazë të Re.”

Kjo dëshmi ishte prova kryesore, megjithatë Prokuroria e Tiranës kishte ngritur dyshime për deklarimet mbi vlerat monetare që ish-zyrtarja Alda Klosi kishte bërë.

Një dëshmi e vëllait të Klosit, kishte ngritur pikëpyetje mbi variantin e zyrtares për burimin e parave kesh që ajo pranonte se ishin vjedhur në banesë.

“Ka mospërputhje në dy deklaratat e dhena prej saj, para oficerit të policisë gjyqësore, per burimin e ligjshëm të parave të sekuestruar në banese shtetases Rozeta Dobi. Fillimisht ka deklaruar një shumë të vogël parash për shpenzime jetike, me pas pasi ka menduar me qetësi -siç shprehet – ka deklaruar 120 000 Euro, por jo të saj, por që i takojnë xhaxhait të saj të ndjerë, mbledhur nga kursimet e tij ndër vite. Po kështu ka mospërputhje me deklaratat e vellait të saj, i cili ndryshon burimin e të njëjtës shumë, duke deklaruar se është e marrë hua nga një shtetas që ka aktivitet biznesi”.

Për të gjitha këto akuza, Alda Klosi do të përballet me gjykatën të martën në orën 10:30 në ambientet e spitalit, ku është shtruar disa orë pas arrestimit.

Tv Klan