Gjatë sezonit të kultivimit të kanabisit policia zbuloi 11 raste dhe arrestoi 23 persona

Prej muajit Prill kur nisi plani operacional i Policisë së Shtetit për të parandaluar kultivimin e kanabisit, janë zbuluar me qindra parcela, në të cilat kultivohej drogë. Në të shumtën e rasteve bimët e kanabisit janë asgjësuar dhe poseduesit e tyre janë arrestuar.

Gjatë aksioneve të policisë në sipërfaqe të pyllëzuara, banesa të braktisura nga ish-pronarët dhe ish reparte ushtarake, është zbuluar se disa prej parcelave ruheshin nga persona të armatosur. Përgjatë sezonit të kultivimit të bimëve narkotike, policia ka zbuluar 11 raste të tilla, duke bërë të mundur arrestimin e 23 personave dhe sekuestrimin e 19 armëve të zjarrit. Numrin më të lartë e mban qarku i Durrësit dhe Lezhës, me nga 3 raste, ndërsa Tirana, Shkodra, Fieri, Vlora e Korça me nga një rast.

Efektivët blu gjatë aksioneve kanë zbuluar se trafikantët krahas armëve kanë përdorur dhe radio policie për të mësuar nëse parcelat do ishin objekt kontrolli. Rastet janë identifikuar në Vlorë dhe në Mirditë, pas arrestimit të trafikantëve. Këtë Verë u zbulua dhe një tjetër tendencë, ajo e kultivimit të bimëve narkotike në kushte laboratorike. Gjatë sezonit të kanabisit u zbuluan 3 raste, në Mirditë, Krujë dhe Tiranë.

Rasti më i fundit u zbulua këtë të shtunë, ku policia arrestoi në flagrancë Romeo Myftarago dhe shpalli në kërkim vëllain e tij Daniel Myftarago. Të rinjve iu gjetën disa fidanë të dyshuar kanabis, si dhe iu sekuestrua një armë zjarri tip kallashnikov, një sasi me municione luftarake, 2 krehra dhe 2 bajoneta arme zjarri.

Bilanci i aksioneve të policisë

23 persona të arrestuar në flagrancë në 11 raste

19 armë zjarri (automatik e pistoletë) të sekuestruara

Rastet sipas qarqeve

Qarku Durrës, 3 raste kryesisht në qytetin e Krujës

Qarku Lezhë, 3 raste në qytetin e Kurbinit

Qarku Tiranë, 1 rast në Kashar

Qarku Shkodër, 1 rast në Malësi të Madhe

Qarku Vlorë, 1 rast në fshatin Bestrovë

Qarku Fier, 1 rast në Mallakastër

Qarku Korçë, 1 rast në Maliq.

Klan News