Qeveria hap ankandin për investimin me vlerë 100 mln €

Qeveria ka hapur garën për të ndërtuar një park me panele diellorë, të cilët do të prodhojnë energji elektrike në zonën e Karavastasë, mes Divjakës dhe Fierit.

Bëhet fjalë për një sipërfaqe prej 198 hektarësh, ku do të instalohen impiante fotovoltaikë me fuqi prej 140 megavatësh, duke u bërë kështu parku më i madh që prodhon këtë lloj energjie në vend.

Vlera e investimit mendohet të arrijë në 100 milionë Euro, ndërsa ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku tha se kompania që do të shpallet fituese në këtë ankand do të bëjë investimin, ndërsa në këmbim për 15 vjet shteti shqiptar do të sigurojë blerjen e energjisë nga OSHEE për 70 megavat të instaluar, ndërsa pjesa tjetër do të shitet në treg të lirë.

Çmimi tavan që kemi vendosur për blerjen e energjisë është 55 Euro/megavat, është ankand dhe fitues do të dalë ai me ofertën më të ulët”, tha ministrja Belinda Balluku.

Ministrja Balluku tha se parku është afër zonës së mbrojtur mjedisore në Karavasta dhe se investimi do të bëhet duke respektuar mjedisin në mënyrë që të mos dëmtojë florën dhe faunën e kësaj zone.

Ky është ankandi i dytë që realizohet në prodhimin e energjisë së rinovueshme nga dielli. I pari është fituar nga kompania India Power në Akërni të Vlorës, por kontrata për nisjen e punimeve nuk është lidhur ende. Puna për në parkun e Karavastasë mendohet të nisë më 8 Maj të këtij viti, ndërsa në fund të Marsit do të mbyllet afati për dorëzimin e ofertave dhe shpalljen më pas të fituesit.

Shqipëria ka më shumë se 90% të burimeve të prodhimit të energjisë nga uji, duke sjellë kosto të larta importi në periudha thatësirash.

Tv Klan