Përveç kërkesave të investitorëve privatë për të ndërtuar panele që prodhojnë energji nga dielli, në ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë ka mbërritur edhe një propozim për ndërtimin e një parku diellor nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare.

KESH ka projektuar të ndërtojë një panel me sipërfaqe 118 mijë metra katrorë mbi liqenin e Vaut të Dejës, duke shmangur zënien e hapësirave tokësore dhe shfrytëzimin më të mirë të diellit mbi zonën ujore.

Impianti lundrues parashikohet të ketë një fuqi të instaluar prej 12.9 megavat orë dhe mendohet që të prodhojë rreth 17.4 milionë kilovat orë energji elektrike në vit.

Në total vepra do t’i kushtojë KESH–it 13 milionë euro, ndërsa jetëgjatësia e saj parashikohet të jetë 20 vjet.

Një vit më parë Shqipëria pësoi një krizë të prodhimit të energjisë elektrike për shkak të thatësirës, pasi i gjithë prodhimi i korporatës përqendrohet vetëm në burimet ujore. Ky projekt do të mundësojë balancimin e energjisë sidomos gjatë muajve të verës dhe do të ulë kostot për blerjen e energjisë nga importi.

Tv Klan