Katastrofë mjedisore në bregdet, pirgje mbeturinash mes pemësh

Nuk ndodhemi në një landfill për hedhjen e mbetjeve. Jemi në pyllin me pisha të buta të gjirit të Lalzit. Janë sipërfaqe të tëra të mbuluara me mbetje urbane. Ndërkohë që autoritetet nuk mbajnë asnjë përgjegjësi.

Mbetjet urbane kanë pushtuar territorie të tëra të Lalzit. Këto pamje janë pranë zonës së vilave turisikte, Lura 1.            

Këto nuk janë mbetje të lënë nga qytetarët që kanë bërë piknik në këtë pyll. Por janë mbetjet e gjithë biznesit të zonës. Madje për të fshehur gjurmët u është vënë flaka.

Çdo gjë që është konsumuar gjatë sezonit turistik është hedhur në këtë pjesë të pyllit. Duke e kthyer gjirin e Lalzit, nga një zonë turistike, në një nga zonat me ndotjen më të lartë në vend.

Me ndryshimet e Kodit Penal një vit më parë, ndotja e ujit, e ajrit por edhe e tokës konsiderohet vepër penale dhe dënohet deri në 3 vite burg.

Ndryshimet ligjore parashikohet se nëse këto vepra kanë shkaktuar ose ka mundësi të shkaktojë plagosjen e rëndë të një ose disa personave, dënohet me burgim nga dy deri në dhjetë vjet. 

Por ligjet për mjedisin, që vetëm forcohen, asnjëherë nuk zbatohen. Jashtë kamerave  banorët e zonës thonë se situata po vijon e tillë prej gati një viti, ndërkohë që gjendja është rënduar shumë më shumë këtë verë.

Kjo zonë është kthyer në një vend depozitimi të mbetjeve. Ku nuk mungojnë as ata që grumbullojnë palstikë. Për shkak se mbetjet janë të shumta dhe flakët që u kanë vënë nuk kanë zgjidhur gjë, tashmë po përpiqen t’i groposin, por kanë stopuar për shkaK të rreshjeve.

Lalzi është pjesë e bashkisë së Durrësit. Këshilli Bashkiak në këtë bashki, në muajin qershor ka shpallur emergjencën mjedisore për menaxhimin e mbetjeve për shkak të mbylljes se venddepozitimit në Porto Romano.

Sipas drejtuesve të kësaj bashkie ata nuk kanë kapacitetet financiare për mublimin e kostove të dërgimit të mbetjeve në landfillin e Sharrës në Tiranë, ndaj kostot për një vit ika marrë përsipër qeveria.

Por me sa duket po mbulohet pastrimi vetëm qytetit të Durrësit, sepse njësitë e tjera administrative të Durrësit po vuajnë pasoja të rënda mjedisore. Gjendje alarmante është jo vetëm në Lalz por edhe në Manzë e në shumë njësi të tjera. Zonat rurale, të mbetura në periferi të vëmendjes së pushtetit vendor, i përqendruar vetëm në qytet pas ndarjes së re administrative, përballen të gjithë me problemin e madh të mosgrumbullimit të mbetjeve.

Klan Plus