Veliaj: Synojmë të mbjellim 100 mijë fidanë deri në Prill

Aksioni i Bashkisë së Tiranës për të shtuar gjelbërimin në kryeqytet, u ndal sërish në Parkun e Liqenit Artificial ku u mbollën 79 pemë të reja.

Në bilancin e bërë kryebashkiaku tha se në këto 8 vite, jo vetëm janë çliruar hapësirat e zëna po janë shtuar edhe sipërfaqet e mbjella.

“Ne na bashkon dashuria për qytetin. Pavarësisht punëve që bëjmë, na bashkon parku, na bashkojnë rrugët, na bashkon qyteti, dëshira për oksigjen dhe gjelbërim. Edhe vetë e kisha harruar sa punë është bërë dhe sa mijëra pemë janë mbjellë në pjesën jugore të Parkut të Liqenit. E kemi dyfishuar parkun, kemi liruar të gjitha hapësirat e zëna. Është shumë e lehtë ta marrësh për të mirëqenë hijen që bën sot një pemë, por duhet të kujtosh se dikush i mbolli ato para 7-8 vitesh. Pemët që mbjellim sot, ndoshta nuk do të bëjnë hije për ne, por për brezin tjetër që do të vijë, për çuna e goca të rinj që do të transferohen në këtë qytet, për gjeneratën e ardhshme”, tha Veliaj.

Synon që deri në fund të Prillit, në Tiranë të mbillen deri në 100 mijë pemë.

“Unë ndihem i bekuar që në këtë qytet ka kaq shumë solidaritet dhe pavarësisht punës që bën, secili mendon të lërë një shenjë, të hedhë rrënjë në qytet. Ne duam që deri në fund të kësaj stine të kapim targetin tonë të 100 mijë pemëve të mbjella. Kemi kohë deri në prill për këtë”, tha Veliaj.

Me nismën “Dhuro pemë për Tiranën”, synohet afrimi i qytetarëve dhe subjekteve si një mundësi e mirë për të arritur qëllimin e shtimin të sipërfaqeve të gjelbra në Tiranë.

Tv Klan