Lajme Arkiva – Tv Klan 2000

Deputetët e mazhorancës kanë miratuar sot me shumicën e kartonëve jeshil, largimin e ministrave Hajdaraga, Demeti e Panda dhe zëvendësimin e tyre me Gjonin, Zelen dhe Imamin, si dhe emërimin e Ndre Legisit Ministër Shteti. Kryetari demokrat Sali Berisha, duke shprehur votën kundër këtyre ndryshimeve qeveritare tha:

Sali Berisha, Kryetar i PD:- “Ne erdhëm këtu, natyrisht për të respektuar parlamentin dhe zgjedhësit shqiptarë, për të denoncuar, maskaradën e gjashtë të qeverisjes suaj, sepse ju keni shndërruar institucionin e qeverisë, një institucion jetik për të ardhmen e qytetarëve të lirë, në një mësimore të grabitjes, plaçkitjes dhe korrupsionit të qytetarëve. Ministrat që ju po ndërroni kanë pasur vetëm një objektiv, pushtimin e zonave të trafiqeve, nga klanet mafioze në pushtet, nga klanet e koalicionit të kusarëve”.

Pas fjalimit të Berishës nga salla e parlamentit, ishte i menjëhershëm reagimi i kryeministrit Ilir Meta.

Kryeministri Ilir Meta:- “Zoti Berisha është përfundimisht një politikan i degraduar, një politikan që nuk dëshiron ta shikojë realitetin në sy, një politikan që akoma flet për kontrabandën se kujton se jemi në vitin ’95 dhe në vitin ’96. Unë dëshiroj t’i them zotit Berisha dhe gjithë atyre që folën për kontrabandën se në 6 muaj të këtij viti, kjo qeveri ka realizuar të ardhura nga dogana sa çka realizuar zoti Berisha për katër 6 mujor, ’93, ’94, ’95 dhe ’96, që ka qenë dhe kulmi i rënies së qeverisë së zotit Berisha për shkak të piramidave që ai projektoi”.

Të hënën parlamenti voton anëtarin e shtatë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, mes dy kandidatëve të paraqitur nga kryetari i Partisë së Legalitetit Guri Durollari./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame