Parlamenti Europian i dha dritën jeshile nisjes së procedurave për liberalizimin e vizave që qytetarët e Kosovës të lëvizin të lirë në vendet e Bashkimit Europian. 420 eurodeputetë votuan në favor të Kosovës, ndërsa 186 të tjerë kundër dhe 22 abstenuan.

Përpara votimit, hartuesja e raportit Tanja Fajon kërkoi votën ‘pro’ për t’i dhënë Kosovës atë që, sipas saj, e meriton plotësisht.

“Kjo nuk është një votë përfundimtare. Gjithsesi besueshmëria e kësaj dhome është tepër në rrezik. Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe tashmë është detyra jonë për të vazhduar. Kështu e kemi bërë në të gjitha rastet, si me Ukrainën e Moldavinë e Gjeorgjinë. Ju kërkoj të votoni Pro. Qytetarët e Kosovës kanë nevojë për këtë”.

Vota i hap rrugë ngritjes së komisionit trepalësh të bisedimeve me vendet anëtare të unionit, që përbëhet nga Parlamenti, Komisioni dhe Këshilli i Ministrave. Përfaqësuesja e legjislativit europian do të jetë vetë Fajon, e cila pas votimit shkroi në Twitter se Kosova ishte një hap më pranë lëvizjes së lirë.

Votën pro të Parlamentit Europian e përshëndetën edhe presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj. Takimi i parë i grupit të punës do të zhvillohet më 17 Shtator. Çështja do të shtrohet më pas për diskutim nga ministrat e brendshëm të vendeve anëtare të unionit, të cilët marrin vendim me shumicë të cilësuar.

Më 18 Korrik, Komisioni Evropian vlerësoi se Kosova i kishte përmbushur gjitha kriteret dhe i rekomandoi Bashkimi Evropian të liberalizojë vizat për qytetarët e Kosovës. Një prej kritereve kryesore ishte miratimi i demarkacionit kufitar me Malin e Zi nga Kuvendi i Kosovës.

Tv Klan