Dy forcat më të mëdha politike në Parlamentin Evropian i kanë bërë thirrje opozitës socialiste dhe qeverisë shqiptare të gjejnë vetë zgjidhjen për ngërçin politik në vend në mënyrë transparente dhe në përputhje të plotë me kushtetutën.

Nëpërmjet një deklarate të përbashkët për shtyp, kryetari i grupit të partive popullore evropiane, Joseph Daul dhe presidenti i Social Demokratëve në PE, Martin Schulz, shprehin keqardhje që deri më tani, pavarësisht iniciativës lehtësuese të ndërmarrë prej tyre, dy palët politike në Shqipëri nuk kanë kapërcyer dot dallimet mes tyre.

Është përgjegjësia e dy palëve, thuhet në deklaratë, që të gjendet menjëherë një zgjidhje, e cila duhet të jetë në respekt të kushtetutës dhe që të përbëjë bazën për ecjen përpara të vendit drejt rrugës për në Bashkimin Evropian.

Schulz dhe Daul përshëndesin kthimin e opozitës socialiste në parlament dhe i kërkojnë asaj që të qëndrojë atje dhe të vazhdojë punën.

Ndër të tjera dy palëve i kërkohet edhe që të punojnë së bashku me qëllim realizimin e një reforme elektorale për zgjedhjet e ardhshme.

Deklarata në fjalë ka mbështetjen e institucioneve të tjera evropiane dhe është shtysa e radhës e Brukselit dhe Strasburgut për lidershipin politik shqiptar në zgjidhjen e situatës politike në Shqipëri./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle