Parlamenti i Britanisë së Madhe ka refuzuar për herë të dytë marrëveshjen e Kryeministres Theresa May me Bashkimin Europian për Brexit. Deputetët votuan kundër dokumentin e marrëveshjes së saj me 391 vota, ndërsa 242 ishin pro. Pas dështimit “spektakolar” për të bindur Parlamentin, sikurse e konsideron BBC, Kryeministrja May tha se deputetët duhet të marrin një vendim, nëse Britania e Madhe duhet të largohet nga BE pa një vendim më 29 Mars kur është dhe afati i fundit. E nëse kjo dështon, atëherë Brexit mund të vonohet.

“Kjo është një çështje me rëndësi të madhe për të ardhmen e vendit tonë. Ashtu sikundër referendumi, ekzistojnë pikëpamje të forta dhe legjitime nga të dyja palët. Për këtë arsye, unë konfirmoj se kjo do të jetë një votë e lirë në këtë anë të Parlamentit”,

u shpreh May.

Kurse kreu i opozitës britanike, Jeremy Corbyn tha se Kryeministrja tani duhet të thërrasë zgjedhje të përgjithshme. Rreth 75 deputetë konservatorë votuan kundër marrëveshjes së Kryeministres Theresa May. Sidoqoftë ky është një numër më i vogël se 118 votat që mori kundër nga partia e saj në muajin Janar.

Partia e Bashkimit Demokratik të Irlandës së Veriut, e cila po mban qeverinë në pushtet, votoi kundër marrëveshjes së Brexit të arritur mes Kryeministres May dhe BE-së. Kjo është hera e dytë që Theresa May nuk arrin të bindë as deputetët e partisë së saj, duke bërë që mos të ketë ende një marrëveshje përfundimtare për daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian.

/tvklan.al