Bashkimi Evropian, kritikoi partitë politike në parlamentin e Kosovës për mos ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare financiare, për shkak të mospajtimeve ndërmjet tyre.

Pesë marrëveshje ndërkombëtare financiare, në vlerë prej 253 milionë eurosh, nuk morën të enjten votat e nevojshme prej dy të tretave të deputetëve të parlamentit.

Përfaqësuesja e Posaçme e Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova përmes llogarisë së saj në twitter tha se është “thellësisht e zhgënjyer me dështimin e deputetëve për të ratifikuar edhe njëherë marrëveshjet ndërkombëtare. Përplasjet politike të përfaqësuesve të popullit të Kosovës po i privojnë qytetarët nga përfitimi prej fondeve dhe përkrahjeve ndërkombëtare dhe të Bashkimit Evropian”, shkroi ajo.

Mungesa e kuorumit u tha se ishte arseja që nuk kaluan dot këto marrëveshje. Në seancë mungonin edhe disa deputetë që janë prekur nga koronavirusi.

Kryetarja e parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmani paralajmëroi mundësinë e ndryshimit të rregullores së punës së parlamentit për të mundësuar që deputetët të votojnë përmes sistemit digjital.

Qeveria e Kosovës ka bërë thirrje vazhdimisht që të miratohen marrëveshjet ndërkombëtare financiare, që do të ndihmonin edhe në përballjen e vështirësive ekonomike të shkaktuara nga virusi Covid-19.

Por, mospajtimet politike pamundësuan edhe miratimin e një projektligjit për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID – 19, i hartuar që në muajin prill të këtij viti. Projektligji që është nismë e kryetares së parlamentit, Vjosa Osmani dhe disa deputetëve, nuk nuk po mbështetet as nga qeveria e Kosovës.

Në mbledhjen e së enjtes, qeveria e Kosovës tha se e vlerëson të panevojshme miratimin e projektligjit, me arsyetimin se ligjet e zbatueshme në Kosovë e rregullojnë në mënyrë të mjaftueshme fushën e luftimit dhe të parandalimit të sëmundjeve ngjitëse në Kosovë.

Kosova po përballet me përkeqësim të situatës me COVID-19-tës. Numri i përgjithshëm i të prekurve ka arritur në 4 mijë e 100 veta, ndërsa i viktimave në 86.

Që nga 1 korriku, në Kosovë janë regjistruar 35 vdekje si pasojë e infektimit me koronavirus, disa prej të cilave po hetohen nga organet e rendit.

Qeveria e Kosovës tashmë sërish ka rikthyer masa për të kufizuar lëvizjen e qytetarëve në qytetet më të prekura të vendit, ka shkurtuar numrin e të punësuarve në institucione dhe ka kufizuar veprimtaritë e restoranteve dhe kafeneve. /VOA